Wednesday, May 5, 2010

Stefan Malarme

Përhitje

U trisht hëna: Ca engjëj gjithë lot, harkun në gishtërinj,
Ëndërrojnë luleve plot avuj e heshtje mavi,
Dënesat e bardha rrëshqasin si shkumë
Nga violat në hekë, mbi kurorat mbi blunë,
- Qe dita gjithë hir e puthjes tënde të parë,
Ëndërrimi që të më sfilitë e të më plasë
Dergjej si një plak në parfumin e mërzisë,
Që pa pendesë e pa zhgënjime braktis
Frytin e një Ëndrre, që zemra pret ngaherë;
Bridhja i përhumbur në kalldrëmin e vdjerrë,
Kur udhës me flokët plot diell shpupuritur
Të pikasa duke qesh, kur dita qe ngrysur;
Të pandeha zanë me kësulë llamburime,
Që përhihej dikur në dremka të fëmijërisë sime,
E nga duart e brishta i binin gjithmonë
Të bardhat tufa yjesh me xixa e aromë.


Kthimi i pranverës

E drobitur, pranvera përzu me pikëllim
Kristalin dimër, këtë stinë arti të qetë,
Por damarëve të mi lëvrin një gjak pajetë
E plogështia zgjatohet si një gogësimë.

Muzgjet e bardhë vaken e kafkën përqark,
Një vjegë ma shtrëngon si varr i lashtë, i trishtë
Harboj pas një ëndrre të vagullt që më grish,
Në ograjën ku krekoset lëngu i llagartë.

Zemërohem me parfumet, bie i lodhur, i vrarë
Në ëndrrën time një gropë me faqe rrëmoj,
Kafshoj dheun e ngrohtë ku mbijnë jargavanë.

Po më shkallmon mërzia dhe pres të mbarojë...
Mavia loz mbi gardhe dhe zgjimin e këndell,
Të zogjve që çokasin nëpër lulet me diell.


Puhi deti

Trupi u brengos, sa keq ! Lexova çdo libër.
Të iki ! Të kris përtej ! E ndjej që zogjtë harbohen sipër
Në qiej e dehen në shkumë të panjohur ! Nuk vlejnë... !
Asgjë, as kopshti i vjetër që sytë rrëfejnë
Nuk mund ta mbajë këtë zëmër që u qull në det,
O net ! As llamba me llapëtimën e shkretë
Përmbi letrën bosh që bardhësia e stis,
As gruaja e re që foshnjën tajis...
Po nisem ! Lëkundu direk i anijes, mos u ndal
Dhe ngrije çengelin për një vend tropikal !

Një Mërzi e brengtë prej shpresave pashpirt,
Beson në ndarje të shenjta e tundje shamish,
E ndoshta, veç direkët që ftojnë uragan
Një erë i përkul në shkatërrim e vikamë,
Në gjëmë, pa direkë, pa ujdhesë të blertë...
Dëgjo, moj zemër këngë marinarësh në det !


Pikëllim vere

Përmbi rërë zjarr i diellit, moj rivale e përgjumë,
Në arin e flokut tënd nxeh një banjë që lëngon,
Tret temjanin mbi faqen armike e bën shkumë;
Një pije dashuruese me pikla e trazon.

Pëshpëritje në dremkën e përflaktë që nuk shter,
E pikëlluar, o puthje plot fërgëllima frike:
"Ne kurrë s´do jemi një mumie e mjerë
Nën palmat fatlume e shkretëtirën antike !"

Por floknaja jote një shkulm që u ndez,
Ku zemrën bezdisëse ta mbysim menjëherë,
E të hasim një hiç që s´e njihje më parë !

Gjerdanin plot lot prej qerpikut tënd të zi,
Do gëlltis që të shoh nëse zemrën e vrarë,
Ma bëjnë të ftohtë si gurët e ngjyra mavi ?


Gijom Apoliner

Maji

Ja maji, i bukuri maj, në barkën mbi Ren,
Ca dama vështrojnë që lart përmbi një mal;
Ju jeni të bukura, por barka iku larg,
Dhe nisën të lotojnë gjithë shelgjet në breg.

Degët e lulëzuara të pemëve u thanë,
Petalet e rëna nga qershitë e majit
Janë thonjtë e njërës që shumë kam dashtë,
Petalet që u fishkën janë qepallat e saj.

Përmbi rrugën e bregut të lumit, ngadalë
Një ari, një majmun, një qen e ca cigane
Po ndiqnin një qerre pas një magjarjeje,
Ndërsa iknin në vreshtat e shkreta Renane,
Një zamare ia dredh një kënge për ushtarë.

Ja maj, i bukuri maj mbi gërmadha po çel,
Rrënoja trëndafilash e vreshtat stolis,
Por era e lumit Ren shkund shelgjet në breg,
Kallama dërdëllitës e lule hardhish.


Ura Mirabo

Poshtë urës Mirabo rrjedh Sena
E dashuritë tona
Nuk duhet ta harroj
Gëzimi vinte gjithmonë mbas dhimbjes

Të vijë nata të ushtojë ora
Ditët ikin unë qëndroj

Duar ndër duar rrimë ballë për ballë
Ndërsa poshtë
Urës së krahëve tonë kalon
Vala aq e lodhur e vështrimeve të përjetshme

Të vijë nata të ushtojë ora
Ditët ikin unë qëndroj

Dashuria ikën si ky ujë që rrjedh
Dashuria ikën
Sa e plogët është jeta
E Shpresa sa e furishme është

Të vijë nata të ushtojë ora
Ditët ikin unë qëndroj

Kalojnë ditët e javët kalojnë
As koha e shkuar
As dashuritë nuk rikthehen
Poshtë urës Mirabo rrjedh Sena

Të vijë nata të ushtojë ora
Ditët ikin unë qëndroj


Ani

Në bregdetin e Teksasit
Midis Mobiles e Galvestonit gjendet
Një kopsht i madh plot me trëndafila
Ai nxë gjithashtu një vilë
Që është një trëndafil i madh

Një femër shëtit atje shpesh
Vetëm fillikat nëpër kopsht
Kur kaloj në rrugën me vargun e blinjve
Ne vështrojmë njëri tjetrin

Meqë kjo femër është menonite*
Trëndafilat e saj s'kanë sythe e rrobat e saj s'kanë kopsa
Nga ato i mungojnë dy edhe xhaketës sime
Thuajse zonja e unë ndjekim të njëjtin rit.


*menonite ,Prej Menno Simonsz (1496-1559), prift hollandez, sipas të cilit njerëzit duhet të privoheshin prej kënaqësie që mund t'u jepte jeta, qofshin këto dhe rroba apo trëndafila. Ndjekësit u quajtën menonitë.


Pikëllimi i një ylli

Një Minervë e bukur është fëmija e kokës sime
Një yll gjaku më rrethon si kurorë gjithmonë
Arsyeja është në fund e qielli është majë
Kreut ku prej kohësh ti Hyjneshë armatosesh

Ndaj nga heqjet e mia kjo s'ishte më e keqja
Kjo humbëtirë gati mortore që yjëzoi
Fatkeqësia e fshehtë që ushqen marrinë time
Shumë më madhe nga ç'ka fshehur një shpirt

E unë e mbaj me vete këtë vuajtje zhuritëse
Si xixëllonja mban trupin e përflakur
Si zemra e ushtarit mban atdheun që regëtin
E zemra e zambakut polenin kundërmues


Kuqaloshja e bukur

Ja ku jam faqe gjithëve një burrë plot mend
Që njeh jetën e nga vdekja aq sa i gjalli mund të njohë
Pasi ka provuar dhembjet e gëzimet e dashurisë
Pasi ka udhëtuar shumë
Pasi ka parë luftën në artileri e këmbësori
I plagosur në kokë i operuar nën kloroform
Pasi ka humbur miqtë e tij më të mirë në luftën lebetitëse
Unë njoh të vjetrën e të renë aq sa një i vetëm do mund t'i njihte të dyja
Pa u merakosur sot nga kjo luftë
Midis nesh e për ne miqtë e mi
Unë shqyrtoj këtë grindje të gjatë të traditës e të shpikjes
Të Rregullit e të Aventurës
Ju me gojën të mbrujtur nga imazhi i gojës së Zotit
Gojë që është vetë rregulli
Jini pra zemërbutë kur na krahasoni
Me ata që qenë përsosmëria e rregullit
Ne që kërkojmë kudo aventurën

Ne s'jemi armiqtë tuaj
Duam t'ju japim prona të gjëra e të çuditshme
Ku misteri plot burbuqe i shfaqet kujtdo që dëshiron ta këpusë
Keni atje zjarre të reja ngjyra të papara kurrë
Mijëra fantazma pa peshë
Që u duhet dhënë një realitet
Duam të eksplorojmë mirësinë vendin e madh ku gjithçka hesht
Ka atje aq kohë sa mund të gjuash e të rikthehesh
Mëshirë për ne që luftojmë gjithmonë në kufijtë
E të pakufishmes dhe të së ardhmes
Mëshirë për gabimet tona për mëkatet tona

Ja erdhi vera stina e vrullshme
E rinia ime ka vdekur si pranvera
O Diell kjo është koha e Arsyes përvëluese
E unë pres
Për ta ndjekur gjithmonë
Forma fisnike dhe e ëmbël që ajo merr vetëm që unë ta dua
Vjen e më tërheq si magnet
Ajo ka pamjen që magjeps
Të një kuqalosheje shumë të bukur

Flokët e saja do t'i quanin ngjyrë ari
Një shkreptimë e bukur që do të vazhdonte
Ose flakë që krekosen
Në ngjyra trëndafili të venitura - çaji
Pra qeshni, qeshni me mua
Burra ngado sidomos njerëz të këtushëm
Sepse ka aq shumë gjëra sa s'guxoj t'jua them
Aq shumë gjëra sa ju nuk do të më lenit t'i thosha
Mëshirë për mua


Muzg
Zonjushes Marie Laurenci

I çikur nga hijet e të vdekurve
Mbi bar ku dita rraskapitet
Arlekini nis e zhvishet
Në pellg trupin piketon

Një sharlatan muzgullor
Marifetet e tyre ngre në qiell
Qielli pa ngjyrë stërpiket
Me yje të zbehtë qumështi

Mbi skenë arlekini verdhac
Përshëndet në fillim spektatorët
Magjistarë të ardhur nga Bohemia
Ca shtojzovalle e yshtësit

Pasi e ka zbritur një yll
E vërtit me krahun e shtrirë
Ndërsa një i varur me këmbë
I bie me ritëm zingeve

Një fëmijë të bukur e verbra përkund
Drenusha kalon me të vegjlit
Shikon shkurtalaqi i pikëlluar
Arlekinin trismezhist që zmadhohet


Shef sektori

Goja ime do ketë vrullima skëterre
Goja ime do jetë për ty ferr ëmbëlsish e hamgjitjesh
Engjëjt e gojës sime do zënë vend në zemrën tënde
Ushtarët e gojës sime do marrin me sulm
Priftërinjtë e gojës sime do ta lajkatojnë bukurinë
Shpirti yt do trandet si krahina nga tërmeti
Sytë e tu do vishen atëherë me gjithë dashurinë
mbledhur në vështrimet e njerëzimit qyshkur ekziston
Goja ime do jetë një ushtri kundër teje ushtri laragane
Larëmushkë si magjistari që di të ndërrojë ndryshimet

Orkestra e koret e gojës time do të rrëfejnë dashurinë
do ta pëshpëritë nga larg
Ndërsa sy ngulur mbi orë unë pres minutën e caktuar për sulm